Ne, një grup i familjeve të prekura nga vendimmarrjet e Bashkisë Tiranë në zonën e Kombinatit Tiranë, dhe avokatët e tyre, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj deklaratave publike të papërgjegjshme të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama, kundër gjyqtarëve që gjykojnë çështjet e ngritura nga ana jonë në gjykatë.
Me përbuzje dënojmë këto akte rrugaçërie politike të këtyre dy individëve të veshur me pushtet, që nuk kanë aspak respekt për shtetformimin, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe figurën e gjyqtarit.
Erion Veliaj është përfaqësuesi zyrtar i palës së paditur në këto procese gjyqësore dhe flet nga kjo pozitë, si një gjyqhumbës. Ai gënjeu publikun sikur i ka fituar të gjithë gjyqet, ndërkohë që nuk ka fituar asnjë. Ai tashmë ka ushtruar edhe presion hapur publikisht ndaj gjyqtarëve që gjendur përballë fakteve të abuzimit të Bashkisë Tiranë, kanë vendosur të shfuqizojnë aktet e paligjshme që dëmtojnë interesat legjitime të qytetarëve të zonës së Kombinatit. Ai gjithashtu ka aluduar se “banorët e Kombinatit janë yshtur nga partitë politike opozitare”, pa asnjë bazë jo vetëm faktike, por edhe logjike, për sa kohë asnjë banor i prekur dhe as avokatët nuk janë të atashuar në asnjë forcë politike dhe madje me raste edhe të anatemuar nga segmente të caktuar opozitarë.
Edi Rama është përfaqësuesi i organit më të lartë të pushtetit ekzekutiv. Pavarësisht se nuk i takon aspak të ndikojë te pushteti gjyqësor, ai po e bën këtë gjë hapur dhe publikisht, duke ushtruar presion ndaj gjyqtarëve të çështjeve, pasi nuk pranon dot idenë që një gjykatë lokale mund të ndërhyjë në misionin e tij të vetshpallur prej lideri global.
Të dy bashkë, gjoja nën petkun e interesit publik për të rehabilituar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po shprehen se janë disa padi absurde që po pengojnë zhvillimin. Ndërkohë që këto padi “absurde” janë fituar në gjykatë dhe gjejmë rastin të falenderojmë gjyqtarët për kurajon, profesionalizmin që kanë.
Erion Veliaj, pa asnjë bazë, në mënyrën më të poshtër të mundshme, shprehet publikisht se gjyqtarët po marrin para nga qytetarët. Nëse është kështu, i kërkojmë Erion Veliajt që të bëjë kallëzimin në organet e drejtësisë për këto “fakte” që paska dijeni. Nëse nuk e bën, e paralajmërojmë që po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit. Por nëse del që ai nuk ka fakte, ka vepra të tjera penale për të cilat mund të përgjigjet.
Qytetarët e Kombinatit janë njerëz të ndershëm që jetojnë në banesa modeste dhe po i mbrojnë ato në mënyrën më qytetare të mundshme, duke kërkuar që veprimet e Bashkisë Tiranë t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Dhe ata po i fitojnë gjyqet njëri pas tjetrit. Atyre nuk i është kërkuar asnjë pagesë nga asnjë gjyqtar, por përkundrazi, fitoret e tyre mbështeten tërësisht mbi faktet e administruara në gjykatë, që janë të qarta si drita e diellit, të vërtetuara katërcipërisht nga provat shkresore dhe ekspertët e fushës.
Nëse këta dy individë, Erion Veliaj dhe Edi Rama do të donin interesin publik kaq shumë sa e deklarojnë, atëherë t’i bëjnë punët mirë dhe në përputhje me ligjin dhe të mos u vijë aspak keq kur qytetarët i drejtohen gjykatës. Fundja, veprimet e administratës duhet të kontrollohen nga gjykata, u vjen mirë apo u vjen keq ndokujt. Qytetarët e ndershëm dhe të guximshëm nuk kanë vdekur akoma në këtë vend. As gjyqtarët me integritet që i marrin vendimet në përputhje të plotë me bindjen e tyre të drejtë dhe me ligjin.
Ne jemi të bindur që dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe zyrtarët e lartë. Qendrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit. Gjithashtu, ato ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, duke u bërë presion për dhënien e vendimeve në kundërshtim me bindjet e tyre, në cenim të pavarësisë dhe paanësisë.
Praktika e marrjes nëpër gojë e gjyqtarëve nga qeveritarët e pakënaqur duhet të ndalojë me çdo kusht. Përndryshe, të gjitha fjalët e bukura të thëna në shqip apo anglisht për reformën në drejtësi, do të mbeten thjesht fjalë pa përmbajtje.
Ne emer te GMK,
EDMOND CATA, PhD.